Kam kohë që nuk jam dukur edhe pse kurrë s’jam zhdukur
Me dhembjet e kohëve të shkuara, të sotmen e kam bërë të bukur
Unë shfaqem mu atëherë kur nga bota harrohem
Mund të urrehem e shahem, por s’mund të lëndohem
Shumica e rënkimeve në botë që njerëzit i shfaqin
Janë lëndimet e egove të tyre që sa duan s’mund t’i kënaqin
Lëndim i vërtetë është ai që zemrën e copëton nga ndarja
Gabim i vërtetë është ai për të cilin gjithnjë ekziston Falja
Shumë borë nga dimrat e jetës në zemër kanë për të të rënë
Fjalët më të bukura do të mbeten ato që askujt s’ia ke thënë
Lutjet më të ndjeshme do të mbeten ato që në heshtje ngelën
Lule të pathara do të mbeten ato që kur me lotë i ujite, çelën
Nëse dhembjet e të tjerëve nuk të kanë bërë të përlotur
Kjo është shenjë se zemra është bërë si uji i ndotur
Kur uji ndotet nga gjërat, gjërat s’mund t’i pastrojë
Kur zemra s’e ndien veten, tjetrin do ta harrojë
Me malin e përgjakur në zemër, pranë teje jam sërish
Nga fjalët e mia të gjalla, i vdekur a mund të rrish?

Mbylli sytë!
Vëje re se mendja trupit për të marrë frymë s’i ndihmon
Kur etja ta thanë trupin, mendimi për ujin s’të shpëton
E sheh se në ç’kurth ke rënë dhe akoma nuk bindesh
A ende për mendimet që të vijnë, me të tjerët do të grindesh?
Nëse beson se je mish, pse mbrohesh kur je në rrezik?
Kush të bënë të ruhesh dhe sulmuesin ta quash armik?
Nëse mendimet ndryshojnë, pse për mendimet lufton?
Sa mendime të djeshme, sot si të gabuara i dëshmon?
Meqë i njihke gjërat, më thuaj veç një herë:
Kur ke pasur të drejtë, tani apo atëherë?
Për mendimet e sotme, a thua nesër ç’do të thuash?
Ato që sot i beson si të drejta, nesër të gabuara a do t’i quash?
Po ç’t’u desh ta humbasësh zemrën nga mendimet që venë e vijnë?
Mysafirët kur i bën zot shpie, s’do mend që e humbet shtëpinë
Një lot të bën më të bukur se mijëra mendime vërdallë
Se loti është dëshmitar që zemra është ende gjallë.

S’ka zemër në ekzistencë që një të vërtetë nuk ta thotë
Njerëzit mund të merren me kotësi, por asnjëri s’është i kotë
Mos e copëto zemrën me mendimet e botës se ti je vetë bota
Mos prit asgjë nga të tjerët, mjafton ajo që është e jotja
Melodinë e shpirtit tënd, tingujt e dhembjeve e bëjnë të bukur
Me ritmin e zemrës sate, luaje vallen më të lumtur
Ata që kanë dështuar të jetojnë, duan të të bindin të mos festosh
Idhull ta bësh mendjen tënde dhe zemrën asaj t’ia nënshtrosh
Po si mund të festojë një zemër që frikësohet ta dojë lirinë
Liria është përgjegjësi, prandaj shumëkush ka zgjedhur robërinë
Pije lotin tënd që buron nga dhembjet e Zemrës së Gjallë
Për Simfoninë tënde e gjithë bota ndien mall
Tingëllo në Oktavën Kosmike e botës dhuroja ngjyrat
Po na humbën buzëqeshjet, çfarë na duhen fytyrat?
Mos ia dhuro zemrën djallit, ai s’di ta çmojë dhuratën
Në vend të falënderimit, do ta të ta japë lëngatën
Mos rri si notë e vdekur në Partiturën e Universit
Ti ke lindur me virtyte, përse të bëhesh rob i vesit?

Tani po largohem nga Toka se duhet të takohem me Qiellin
Ti e di se ndarjet tona gjithnjë lotë na sjellin
Po s’prish punë, le të qajmë që ta ndiejmë se jemi gjallë
Për takimin tonë e gjithë ekzistenca ndien mall
Për ndarjen tonë e gjithë bota ndien pikëllim
Fryma që të mban gjallë ty, e mban edhe trupin tim
Ti mund t’i numërosh ditët, por lotët s’mund t’i numërosh
Megjithëse ta kam treguar udhën, duhet vetë të udhëtosh
Gjethet që sot gjelbërojnë degët, nesër në degë s’do t’i gjesh
Këmbët që sot lënë gjurmë në tokë, nesër veç tokë do t’i kesh
Si kalorës do të njihem, edhe kur kuajt s’do të më duhen
Udhët me emra quhen, por me fjalë kurrë nuk përshkruhen
Nën hije të pemës mjaft qëndrova, tani po iki sërish
Po ti si do t’ia bësh, do rrish apo do vish?

Fatmir Muja 2019