Njësia matëse e kohës është zemra. Duke menduar se do të vdesim në të ardhmen, harrojmë të bëhemi të vetëdijshëm se e gjithë koha e shkuar i përket vdekjes. I humbur është çdo çast në të cilin ruhemi nga vdekja sepse sapo të kemi menduar, çasti dhe ca qeliza brenda trupit do të kenë vdekur. Janë përjetimet ato që e bëjnë të gjallë çdo çast. Ç’ka mbetur në kujtesën tënde përveç atyre që i ka ndier zemra? Gjithçka që ke bërë pa zemër, ka mbetur edhe e padenjë për t’u kujtuar. Mendja mund të tregojë vetëm për gjërat që janë gdhendur në zemër. Ç’mund të rrëfejë një mendje e ndarë nga zemra? Ç’dritë mund të shpërndajë një qiri i pandezur?
Çdo rrehje e zemrës fizike ndodh TANI, çdo kujtim ngjarjeje nga mendja nuk do të ndodh më kurrë. Zemra fizike mban ritmin e trupit dhe (përdersa shpirti bashkëvepron me trupin) mendja mund të kthehet në VETËDIJE nëse vëmendja kthehet në çastin që po rreh zemra. ~ Fatmir Muja