Njeriut i është dhënë zotësia të miqësohet me të gjitha gjallesat në tokë dhe të mbizotërojë mbi to, mirëpo, sado miqësi e dashamirësi të na shprehin gjallesat e tjera, nuk mund të na buzëqeshin. Megjithëse ndërtimi anatomik i frymorëve të tjerë ka të gjitha atributet fizike për ndryshimin e formës së buzëve, ata nuk ia dalin t’i qeshin njeriut, pavarësisht se ç’lloji dresure mund t’i nënshtrohen. Fati tragjik i një qenieje njerëzore është të divorcuarit e fytyrës së saj nga buzëqeshja. Jeta nuk është emër, por folje dhe ne gjuhësisht jemi familjarizuar me të gjitha foljet më shumë se me foljen “njerëzoj”! Le të njerëzojmë! ~ Fatmir Muja