Kur zemra që ti e do
bëhet e pranishme,
Prania dhe mungesa e kujtdo
bëhet e parëndësishme,
Aman, a kështu u matka dashuria,
Boshllëkun e mungesës ta mbushë veç prania?!
Peshorja e zemrës si vika në terezi?
Kur nuk ndien mungesë, por vetëm prani?
Dy enë ka peshorja, në terezi s’vjen dot
Kur njërën le bosh, ndërkaq tjetrën plot
Hë pra, fol tani, ti e di këtë gjë:
Kur ndodh takimi, ndarje nuk do më
E përtej kësaj nëse s’ke udhëtuar
Ta dish: çdo takim në Tokë ka mbaruar
Disa i ndan egoja, të gjithë i ndan vdekja
Për fundin që dihet, a ia vlen përpjekja?
Kur ndahen trupat e shpirtrave që janë bashkë
Ndarja do të dhemb aq sa është ndier ashk
Por kur ndahen trupat e shpirtrave të pabashkuar
Ndarja nuk dhemb fare se kurrë s’janë takuar
Aman hiqmu sysh o ti që po shkruan
Llafet t’i lexojnë, për llafe s’të duan
Çdo fjalë është e gjallë aq sa zemër ke
Kurrë nuk do të marrësh më pak se sa dhe
Jep nga zemra jote që kurrë s’do të shterojë
Dikush ka dëshirë, dikush ka nevojë
E dikujt i duhet vetëm një shkëdijë
Për ta ndezur zjarrin, lere le të vijë
Nëntëdhjetë e nëntë Emrat për ty janë shpalosur
Fryma jote kurrë nuk ka për t’u sosur
Nxirr nga zemra jote Fjalët e Përndritshme
Aty është Hyjnorja gjithnjë e Pranishme
As Toka me vullkane, as Qiejt e asnjë bote
Nuk mund të mbajnë brenda, çfarë mban zemra jote
Kur të jetë shpalosur në zemër Dashuria
S’ka takim as ndarje, ti je vetë Prania. ~ Fatmir Muja