Ashtu siç nuk i duhet Dritës diç tjetër veç Vetes për ta dëshmuar ekzistencën e saj, edhe Dashurisë nuk i duhet asgjë për të dëshmuar Pafundësinë e saj. Gjithçka që duhet me trup, mbaron, sepse vetë trupi është i mbarueshëm si formësim. Fundi i dikujt a diçkaje dëshmon se për çfarë ka shërbyer ai ose ajo gjë. Vdekja e secilës qenie vlen aq sa ka vlejtur të jetuarit e saj. Nëse je udhëtar, përse vlen udhëtimi yt? Nëse je dashuronjës, përse vlen dashuria jote?
Nëse je ndriçues, përse vlen drita jote?
Në zgjoin e shpirtit tënd gumëzhijnë bletë të panumërta dhe mbushin hojet e ekzistencës me mjaltë. Po e deshe ëmbëlsinë, do ta gjesh nektarin e gatuar, në të kundërtën, do të takohesh me thumbat, sepse ti mund ta shpërfillësh ilaçin, por nuk e shpërfill dot dhembjen. Dhembja mbaron atëherë kur bie në të pafundmen: në Dashuri. ~ Fatmir Muja