Sonte të nxora nga varri i kujtimeve
Nga qefini i bardhë me të cilin kujtimet tona të zeza i kam mbështjell’
Dhembshurisht e pashë farën tonë që në stinën e gabuar e kishim mbjell
E di që është vonë copëzat e zemrës për t’i bërë bashkë edhe një herë
Por ama për zemrën kurrë s’është vonë dhimbjen dhe pendimin për ta ndjerë
Nuk isha aq i denjë sa ta meritoja parajsën e as aq i fortë sa ta duroja ferrin
Por nga dëshira që bukën ta ndajë me ty, e përqafova edhe tmerrin
“Më fal” nuk ishte fjala e duhur, e “lamtumira” ishte e panevojshme
Se veç dashurisë, gjithçka tjetër është e përkohshme
Kjo botë është pikturë në rërë që era mund ta marrë çdo çast
Për t’u kthyer në sofrën e vjetër, nuk ta kërkoj asnjë rast
Kafshatat e bekuara të bukës i vetëm do t’i ndaj
Për gjynahet e mia, edhe pa ty mund të qaj
Në prani të bukës mbase do të mbetem i uritur
Por në sofrën ku bashkë u ushqyem, nuk kam për të të pritur
Unë thjesht të nxora nga varri i kujtimeve ku gjithmonë të ruaj
Sado që ishim të afërt, për botën do të mbetemi të huaj.

Lëviza gurin e varrit, sado që nga lëvizja e tij trandet zemra
Dhe prapë të kujtova dhe të quajta me të njëjtit emra
Unë nuk jam veç trup që gjithçka nëpërmjet materies ta mas
Gjërat më të mëdha t’i them, atëherë kur nuk mund të të flas
Kur trupi im pa frymë, për here të fundit të jetë larë
Dhe udhëtimin e parë dhe të fundit me tabut ta ketë marrë
Gjithçka që kam lënë te ti, do ta ndjesh në thellësi të qenies
Unë isha i pamend sepse isha njeri i zemrës
Unë isha i pafuqishëm sepse fuqia më bëri të tillë
Vetes i bëra keq e ty nuk të bëra mirë
Por s’ka shfajsim, s’ka lutje, s’ka as kërkimfalje
Jeta është rrugë njëkalimshe, nuk t’i mundëson dy dalje
E fatin tim vetë e shkruaj, vetë e gëzoj e vetë e vuaj
Fshehtësinë tonë të përbashkët si varri trupin e ruaj
Askujt nuk i flas për bukën që me lotë e gatuam
Ne patëm fuqi të qeshnim edhe atëherë kur s’u gëzuam
Edhe tani më qeshet me dështimet e ngadhënjimet tona
Ne mbollëm farën, punuam arën, por stina nuk ishte jona.

Shkunda dheun e varrit dhe kujtimet nga qefini dolën
Disa i bëra të heshtin, e ca të tjera më folën,
Më thane: “Ti je i vdekshëm, prandaj lute TË GJALLIN,
Në qoftë Lutja e Vërtetë, do ta mposhtësh Dexhallin.”
Gjynahet e varrosura në Ditën e Gjykimit ngjallen
S’e di nëse do të digjemi apo do të na falen
Por unë vazhdoj të lutem midis kujtimeve tona
E di se s’mund të marrim asgjë që nuk është e jona
Gërmoj në varrin e kujtimeve e të palënduar të gjej
Dhe gëzohem që sërish mall e pikëllim për ty ndjej
Gëzohem që shpirti prapë më është mallëngjyer
Gëzohem që përsëri ndihem zemërthyer
Se veç mizori ndihet njëjtë pranë buzëqeshjes dhe lotit
Bën punën e djallit, por ha bukën e Zotit
Shkel bukën me këmbë atëherë kur nuk i hahet
Kur është i tejngopur, mburret me gjynahet
Kur është i uritur, është i paduruar
Kur s’mund të mëkatojë, mbetet i penduar
Më mire të bën uria se ngopja me bukën haram
Me kaq po e mbyll sonte, diç tjetër nuk kam
E ju që kohën s’përtoni me mua për ta ndarë,
Këndojeni një Fatiha për shpirtin tim gjynahqar.

Fatmir Muja
Mars 2018