Habibi!
Shakaxhi jam por nuk po të them me shaka:
Të gjitha gjërat janë të vogla, veç dashuria i bën të
mëdha
Të gjithë tingujt janë zhurmë, veç dashuria i bën
melodi
A mund të jetë i mençur ai që kurrë s’të thotë: “Nuk
di!”
A mund të jetë i dashur ai që njëkohësisht të lëndon?
Nëse jo, pse pikërisht zemra melodinë e tij e dëgjon?
Nëse po, pse me ndarje zemrën tënde e ndëshkon?
Shpirti që s’e njeh ndarjen, të vërtetën ma rikujton:
“Ti ke udhëtuar në qiej, fshehtësinë e tokës për ta gjetur,
Mos ik kurrë nga ata që kanë arsye për të të ndjekur!”

Qaj habibi!
Qaj nëse të qahet, jepi mundësi lotit nga syri të ndahet
Ujit trëndafilin e fatit, jepi mundësi të rritet e thahet
Se gjithçka ka pranverën dhe vjeshtën e vet
Pasoja ka edhe heshtja, njëlloj si fjala që flet
Në çdo çast ne lëmë gjurmë me frymën tonë në botë
Nëse hapja ka vlerë, as mbyllja nuk është e kotë
Jam hapur para teje duke e thyer çdo dry
Dhe prapë kur të mbyllem, do mbyllem po me ty.

Mëshiro habibi!
Mëshirë nuk do të thotë veç ta shërosh një zemër të plagosur
Por plagën tënde të fshehur, brenda tjetrit ta kesh shpalosur
Lotët e vajit tënd tek sytë e tjetrit t’i kesh gjetur
Kur tjetri për ty rri zgjuar, as ti të mos kesh fjetur
Se dashuria me ndarje nuk pakësohet, as me takime nuk shtohet
Se zemra kur goditet veç mat forcën e nuk dobësohet
Se trupi shkon atje ku brendia e qenies e çon
Nuk mund të jetë i humbur dikush që rrugëtimin s’e fillon
Nuk mund të jetë i falur dikush që kurrë nuk gabon
Nuk mund të jetë i mëshiruar, dikush që nuk mëshiron
Se dashuria nga asnjë qetësi a shtrëngatë prej zemrës nuk hiqet
Sado larg të shkojnë valët, prapë kthehen dhe përqafojnë brigjet.

Lutu habibi!
Ashku i zgjojeve të shpirtit po gumëzhin e bota në melodi po kthehet
Qenia mbetet e varfër, nëse simfonia në një notë të vetme nuk ndjehet
Mendjes mund t’i bësh lajka, por zemra kurrsesi nuk gënjehet
Lutjet do mbeten veç fjalë nëse lutësi lutje s’është bërë
Të bëhemi ata që jemi na fton Universi i Tërë.

Qesh habibi!
Qesh nëse të qeshet, jepiu mundësi buzëve të ndahen nga njëra-tjetra
Kur shfaqen gjërat e reja, të mëparshmet bëhen të vjetra
Por kjo s’do të thotë se gjërat në botë janë vjetëruar
Ajri mbetet njëlloj, sado kohë të ketë kaluar
Kur qesh, merr ajër të ri që është po kaq i vjetër
Nëse më do të pagabueshëm, do isha diçka tjetër
Nëse më do siç jam, do më bësh më të ndjeshëm
Do mbetem gjithnjë pranë teje, edhe pse s’jam i përhershëm
Nëse s’gjen arsye për të qeshur dhe thua se jetë s’është kjo,
Mbylle gojën e hundën dhe ashtu pra qendro,
Por s’do vazhdosh edhe gjatë se e gjithë qenia do të thotë: “Jeto!”
E nëse të qeshet që pranë teje më sheh përsëri
Të thashë që në fillim se s’bëj shaka, por jam shakaxhi.

Fatmir Muja 2016