Sado të jetë i vështirë
Çasti i tanishëm është çasti më i mirë
Sepse, çfarëdo që nga e shkuara mund të kujtosh
Ky është çasti i vetëm ku mund të jetosh
E djeshmja ka vdekur, por ti gjallë ke mbetur
Në qumështin e jetës je ajkë e patretur
Çasti që kaloi nuk është i rëndësishëm
Të jetosh do të thotë të jesh i vetëdijshëm
Duhet të jesh djegur që të jesh i përndritur
Vjeshta në shpirtin tënd le të jetë e mirëpritur
Si gjethet nga pema gjynahet le të bien nga zemra
Je e vetmja qenie që gjërave u ke vënë emra
Çdo gjallesë e njeh ushqimin e vet
Me gojë si ti ha, por si ti nuk flet
Nëse goja jote s’është veç për të ngrënë
Mbasi të jesh ngopur, ke diç për të thënë?
Çdo çast është mundësi për ta njohur veten
Njohja vlen më shumë se uji për etjen. ~ Fatmir Muja