Mirë se erdhe!
Nuk po të pyes “A u lodhe?” se rruga që ke marrë është e lodhshme
Dhe sado të kesh ecur, po s’mbërrite në shtëpi, ecja s’është e bollshme
Ulu pak këtu pranë meje dhe çlodhu se pastaj do kalosh në katër shkallë
Kur të kesh hequr dorë nga dijet, do zbulosh se ti je vetë Dija e Gjallë
Tani ti je në shkallën e parë që është XHUNGLA ku mungojnë rrugët e shtigjet
Duke mos guxuar të pyesësh, je kënaqur veç me përgjigjet
Por përgjigjet janë fjalë të gatshme që të tjerët t’i përsërisin
Me fjalë të tilla ushqehen ata që nuk guxojnë të pyesin
Ti nuk guxon të shikosh përpara edhe pse përpara i ke sytë
Nuk guxon të shikosh në të ardhmen se e shkuara të tanishmen ta mbyt
Ti ke tjetër ngjyrë prej xhunglës që nga bimësia është gjelbëruar
Dhe megjithëse je rob i lirë, në mijëra dryna je ngujuar
Shpresat i ke varur te ata për rrobat e të cilëve je kapur
Pret të ta japin çelësin e derës të cilën vetë s’e kanë hapur
Derisa nga jeshillëku i errët i xhunglës nuk do të çlirohesh
Do të jetosh duke u mbrojtur edhe kur fare nuk sulmohesh.

Eh more i dashur!
Fjala “rrugë” nuk është rruga të cilën ti do ta përshkosh
Rrugët dhe shtigjet janë veç ato që ti vetë do t’i kalosh
Shkalla e dytë është PYLLI që xhunglës i ngjason por nga xhungla ndryshon
Se pylli ka ca shtigje ku këmbët shkelin aty ku shikimi i çon
E në xhungël secili jeton pranë drurëve ku ka lindur
Për shkak se nuk dyshon, secili mbetet i bindur
Por në pyll do jesh në kërkim se aty janë edhe shtigjet
Megjithëse akoma s’i ke pytjet, aty të shtohen përgjigjet
Në xhungël je në gjumë, në pyll je duke ëndërruar
Kur të kesh mbërritur në shkallën e tretë, veç atëherë do të jesh zgjuar.
Në shkallën e parë s’pranon të mësosh, në të dytën kërkon nga secili të jesh i mësuar
Por në shkallën e tretë kur të kesh arritur, dëshiron mësimet t’i kesh harruar
Jo se mësimet s’janë të vyera, jo se kanë mbetur pa vlerë
Por se s’mund të gjesh perla në çdo ujë e as xhevahir në çdo minierë.

Shkalla e tretë është KOPSHTI ku bimët mbillen dhe rriten
Ku barishtet e egra kositen e trëndafilat ujiten
Përgjigjet e të tjerëve nuk vlejnë, kur ti do ta pyesësh veten:
“Kush jam? Nga vij e ku shkoj? Kush ma jep dhe merr jetën?”
Merr frymë dhe sheh se të menduarit frymëmarrjes nuk i ndihmon
Ajri futet dhe del prej teje edhe nëse ti për frymën kurrë s’mendon
S’ke qenë asnjëherë më afër çastit kur qenia jote do të qesh
E kupton se po nuk humbe, rrugë të reja nuk mund të gjesh
Nuhat aromat e luleve me të cilat kopshti mrekullisht qëndiset
Dhe drejt shkallës së katërt qenia e mallëngjyer niset
Do të shpalosen në zemër fshehtësitë e gjithë rrugëtimit
Do të jesh dëshmitar se si jetohet përtej pëlqimit dhe mospëlqimit.

Shkalla e katërt është SHTËPIA, të tjerat as që kanë ekzistuar
Por megjthatë ti është dashur të kalosh shkallët që mendja i ka sajuar
Vazhdo, hape derën jeshile që së jashtmi ngjyrën e kopshtit ka marrë
Por ama së brendshmi shtëpisë, asnjë ngjyrë s’ke për ta parë
E vërteta është pa ngjyra dhe emra, por shfaqet në çdo ngjyrë dhe emër
Udhëtimi yt është i vlefshëm veç kur udha jote ka një zemër
Nuk ka më pyetje dhe përgjigje, zemra është si paqyrë
Ajo veç i pasqyron gjërat ashtu siç janë në Natyrë
Nuk ka më udhë e udhëtar, ka ngelur veç udhëtimi
Nuk ka më etje dhe ujë, ka ngelur veç Burimi
Nuk ka më dashuronjës dhe Të Dashur, ka mbetur veç Dashuria
Mbylle derën jeshile se besimi ekziston veç aty ku mungon siguria
Ti nuk i duhesh shtëpisë, por ty të duhet shtëpia.

Fatmir Muja 2016