Kur fjalët zbresin nga buzët në zemër
Merr kuptim çdo zë, çdo fjalë e çdo Emër
Zemra në gjoks nuk është Qendra e Jetës
Por është një mundësi që të çon drejt Vetes
Në kujtesën tënde shumë gjëra kalbëzohen
Janë ditët e shkuara që kurrë më s’jetohen
Çdo frymë e jotja është frymë e fundit
Të duhet një ëndërr që të zgjon prej gjumit
E kur ta kesh parë një herë veten zgjuar
Gjumi do të bëhet i padëshiruar
Uji e lagështia nuk janë dy gjëra
Mendja ka një punë: të të ndajë nga e Tëra
E ç’është e Tëra me fjalë s’e them dot
S’ka kuptuar gjë kush me fjalë e thotë
Se mendja e fjala janë shoqe të pandara
E dyta tregon çfarë i thotë e para
Kur të kesh pirë ujë një herë në Burim
E kupton se ndarja ka qenë një mashtrim. ~ Fatmir Muja