Çdo vdekje dëshmon për një jetë e çdo ilaç për një sëmundje
Çdo qenie në botë lëviz drejt asaj që do
se zemra s’ka fuqi t’i thotë dashurisë “jo!”
Bletët takohen me lule për hir të nektarit
E fluturat për hir të dritës digjen në flakën e zjarrit
Përmallimi i shpirtrave të dashuruar është më i madh se bota
Prandaj bota gjallëron nga mallëngjimi i të dashuruarve
Të gjitha lëvizjet në botë nuk janë tjetër veçse gjurmë të dashurisë
Njeriu nga dashuria vjen në botë duke qarë për t’i buzqeshur jetës
Se ai është i vetmi që dëshmon për ekzistencën e vetvetes.

Sa të vetmuar janë ata sy që u mungon loti kur bota ndien dhimbje!
Sa të trishta janë ato buzë që nuk qeshin kur bota ndien gëzim!
Cili sy njerëzor erdhi në botë për të mos qarë?
Cila buzë njeriu erdhi në botë për të mos qeshur?
Ti qaj e qesh dhe me gazin e lotët tu mbushe jetën
Kur të tjerët të lavdërojnë më shumë se sa je, kuptoje të vërtetën:
Ata që i japin peshkut ushqim nëpërmjet grepit, nuk e ushqejnë peshkun por veten.

Ai që nuk pranon se është i sëmurë nuk mund të shërohet kurrë
Nëse ilaçet janë të hidhura, shërimi është i ëmbël
Pavarësisht nëse mjeku vret sëmundjen apo të sëmurin
Ti duhet ta paguash, n’daç falja edhe kusurin
Nëse ke kaq mend mjekun për shërim ta paguash
Përse nuk ke aq mend të mos sëmuresh e të mos vuash?!
Të qeshet, ë? Nëse e qeshura s’do t’i shkonte buzëve të njeriut
përse në mesin e gjallesave vetëm njeriu buzëqesh?
Ke parë ti fytyrë të buzëqeshur që s’është dukur e bukur?
Buzqesh se e tëra u bë për njeriun por njeriu nuk është e tëra
Buzëqeshja është një vijë e shtrembër që mund t’i drejtojë shumë gjëra.

Në botë ka zemra që as tërheqin e as dëbojnë
Ato s’ka rëndësi nëse janë të pranishme ose mungojnë
Ka zemra që vetëm dëbojnë nga vetja të gjithë pa përjashtim
Ka edhe të atilla që të gjithë i tërheqin, pa dallim
Por në botë ka zemra që edhe tërheqin edhe dëbojnë
Disa i afrojnë pranë vetes e disa të tjerë largojnë
Se zemra gjithmonë e do atë që është si vetja
Ti qaj e loto e mos lejo zemrën të ta mund urrejtja
Nëse nga loti yt dikush do largohet për të mos u afruar
Dije se dhimbjen tënde kurrë s’e ka përjetuar.

Udhëto mes lotësh e buzëqeshjesh dhe kurrë mos ndalo rrugëtimin
E ardhmja ka brengat, e kaluara pikëllimin
Jeto me të tashmen se jeta është si mysafirët që gjithmonë na gëzojnë,
nëse jo kur vijnë, na gëzojnë kur shkojnë.
Ti qaj e qesh edhe nëse i ngjanë një fëmije që ende është i huaj në botë
Nëse s’ta duan buzëqeshjen, përshëndeti me një pikë lot
Nëse s’ti duan lotët, dhurojua buzëqeshjen
Askush s’jeton dot pa njërën ose tjetrën.

Fatmir Muja 2009
www.fatmirmuja.al