Atij që Dashuria zemrën ia mban gjallë
Vdekja s’mund t’i bëjë ballë
Ai është si fara e lules që kur në dhé të jetë varrosur
Çan tokën dhe mbin, botën për ta parfumosur
Secili është i gjallë aq sa ndien dashuri
Era ndodhet në farë ku ruhet çdo fshehtësi
Pa dashuri lulja do të mbetej veç farë
Nuk do t’i afroheshin për erë as për nektar
Për hir të dashurisë çdo lule ka mbirë
Aromë do të bëhet çdo vepër e mirë
Kundërmim do të bëhet çdo vepër e ligë
A të duan ty apo të kanë frikë?
Në botë s’mund të ketë rrugëtim më dështues
Nëse të thonë “i dashur” kur ti je frikësues
Ji si trëndafil, jep aromë në tokë
Edhe pse hundëmbyllurit nuk mund t’i zësh shokë
Edhe pse me gjemba trëndafili i mbirë
S’e kujtojnë për gjembat, po për erë të mirë. ~ Fatmir Muja

www.fatmirmuja.al 2019