Isha farë e fshehur, e sigurt nën dhe
Atëherë kur vetë ti, s’e dije çfarë je
Pastaj ti shijove frutin e ndaluar
Dhe t’u fsheh parajsa që të ish’ dhuruar
Epo kështu ndodh, këtu të çon babëzia
Kur ha nga lakmia e jo nga uria
Që atëherë u bëre gjurmues i bimësisë
Të paktën një të mirë ia pe edhe lakmisë
Sado poshtë të biesh, e të jesh mërzitur
Ti je për të festuar, e prapë për t’u ngritur
Sado të copëzohesh, ti prapë je i tërë
Asnjë gjallesë tjetër çaj nuk më ka bërë
Për të gjithë barngrënësit jam veç një barishte
Vetëm ardhja jote festë për mua ishte
Takimi me ty më bëri tjetër nder
Se edhe i tharë nuk mbeta pa vlerë
Ti që më shpalose dhe emër më dhe
A s’është turp për ty kur veten s’e njeh
S’ke përse zemërohesh, jam bimë e pafaj
Sikur mos të duhesha, s’do më bëje çaj
Jam ilaç për trupin, nuk bëj tjetër punë
Zbulimi i vetes sate, të duhet më shumë se unë
Jemi dy të dashur, a s’e di këtë gjë
Kur ti më pi mua, me ty bëhem një
Ama unë s’të them: gjithnjë në bark më mbaj
Ndjesë që të shqetësova, do akoma çaj? ~ Fatmir Muja