Përshëndetje!
E di që ti doje të të flisja e heshtjen midis nesh ta vrisja
Copëzat e mozaikut të shpiritit tim në murin e zemrës sate t’i ngjisja
Epo mirë, unë do të të flas edhe pse heshtje kurrë nuk ka pasur
Se për të folur shpirtrat, fjalët nuk u janë dashur
Në librin e shpirtit tim faqet e jetës sate do t’i lexosh
Fjalët e mia janë festë, por jo çdo herë do të festosh
Loti do të të pikojë mbi germa duke lexuar këto rrëfenja
Se jeta nuk matet me kohë por koha matet me ndjenja
Vdekja s’është e kundërta e jetës, lindja është e kundërta e vdekjes
Jeta nuk ka diç të kundërt por ne u çuam kundër vetes
Megjithëse nuk ishim të varfër, ne prapë u bëmë të mjerë
Ç’i duhet zemra njeriut, nëse jo dashuri për të ndier?
A nuk është për të qarë që ndaj zemrave u treguam kaq mizor?
Për shkak të hundëve të mbyllura, trëndafilin e bëmë fajtor. ~ Fatmir Muja

www.fatmirmuja.al 2016