Historia është kujtesë, por kujtesa nuk është histori. Sado e largët të jetë e shkuara, kujtimi për të ndodh në të tanishmen. Të kujtosh domethënë të jesh i vetëdijshëm se lartësia e degëve të tua është pasojë e thellimit të rrënjëve. E njëta pemë (vrojtuar nga përceptimi ynë shqisor) udhëton në dy drejtime të kundërta, me rrënjë kah thellësia e tokës dhe me degë kah lartësia e qiellit. Rrënjët nuk joshen nga degët sepse ekzistojnë për t’u thelluar dhe degët nuk joshen nga rrënjët sepse ekzistojnë për t’u lartësuar. Kush guxon të thellohet poshtazi, ngrihet lartazi dhe sa më i madh të jetë thellimi, aq më madhështor bëhet lartësimi. E shkuara është kujtesë, por kujtesa nuk është e shkuar sepse vetëm në të tanishmen mund ta kujtosh të shkuarën. – Fatmir Muja