Kur largohesh nga të dashurit, merri të dashurit me vete
Ata ishin dhe mbeten ngjyrat e pikturës së kësaj jete
Çanta e udhëtimit ka vend për ca gjëra
Veç zemra është ajo që i ze të tëra
Merre zemrën me vete dhe shko edhe ku mendja s’guxon
Nga njerëzit do të harrohesh, kur njerëzit i harron
Në zemrën tënde ka male ku s’mbaron dimri,
ka zjarre që fshihen thellësishëm në vullkane
Ti je nga të gjitha anët, por nuk i takon asnjë ane,
Ti s’je as koka e as këmbët, edhe pse mbahesh në këmbë nga koka,
Ti je bërë nga dheu, por vlen më shumë se krejt Toka,
Prandaj, merri të dashurit me vete kur largohesh nga ta
Se edhe për Shtatë Qiej në zemrën tënde vend ka
Merri të dashurit me vete, por rrugën bëje pa asnjërin
Se po more të tjerë me vete, te vetja s’e gjen të tërin
Me çantën që zë pak gjëra, merre gjithë botën në sy
Po udhëtove me zemër, s’ka udhë të mbyllur për ty
Kudo të kesh vajtur, të dashurit do t’i gjesh aty. ~ Fatmir Muja

www.fatmirmuja.al Stamboll 2019