Përtej çdo dere, jetë ke për të gjetur
Në qoftë dhoma bosh, prania ka mbetur
Edhe nëse flitet për zemra të ndara
Aty ka ngelur e qeshura dhe e qara
Aty janë fjalët që kurrë nuk fshihen
Me vesh më s’dëgjohen, por me zemër ndihen
Asgjë nuk fshihet në këtë Qenësi
Gjithçka dëshmi mbetet në Prani
Gjithçka që mendja ta shpërfill përpiqet
Është hi në zemër e hiri nuk digjet
Asgjë nga materia s’mund të asgjësohet
Asgjë nuk zhduket, gjithçka shndërrohet
E ç’të keqe ka hiri në zemër
Ai mund të gjallërohet, të marrë tjetër emër
Shihe trupin tënd që qesh me haré
Sot ka tjetër emër, nesër quhet dhé
Dy sytë e tu që lexojnë këto germa
Mbyllen sapo rrahjet do t’i ndalojë zemra
Po përtej derës sërish jetë do gjesh
Ndryshe nga ç’ke bërë, nuk mund të jesh
Sado që zjarri një gjë ta ketë tretur
Hiri ka cilësinë e lëndës që është djegur. ~ Fatmir Muja