Mendimet janë energji. Mendja e drejtuar së jashtmi reduktohet në mendim, mendja e drejtuar së brendshmi ngrihet në vetëdijësim. Kur mendja mendon për veten e saj, bëhet vetëdije. Së këtejmi, një qenie njerëzore nuk bëhet vetëm e vetëdijshme, por edhe e vetëvetëdijshme, domethënë jo vetëm e di që është, por edhe dëshmon se di për vetëdijshmërinë e saj. Mendim është edhe pyetja pasuese: mendojmë ne njëmendësisht apo jemi vetëm dëshmitarë të ardhje-vajtjeve të mendimeve? Të qenit dëshmitar për mendimet, qendron më lart se çdo mendim. Të jetosh në botë si dëshmitar domethënë të mos bëhesh viktimë e falsitetit të egos në të cilën shtresëzohen mendimet dhe formësojnë platformën mentale të një individi ose shoqërie. Ky lloj viktimizimi “legjitimon” edhe pohimin e njohur se “kur të gjithë e kanë gabim, të gjithë kanë të drejtë.” Lakmia, para se të bëhet ndjesi dhe botëkuptim, është mendim. Përplasjet, mosmarrëveshjet, grindjet, polemikat, vrasjet, luftërat janë vetëm pasoja të një platforme mentale që bllokon procesin e njohjes së vetes, e rrjedhimisht, mosdëshirimi për ta njohur veten zëvendësohet me dëshirën e pafundme për t’i nënshtruar të tjerët, nëse kjo është e mundur, dhe për t’i eliminuar kur nënshtrimi është i pamundur. Në fakt, eliminimi i tjetrit vjen si pasojë e mosnënshtrimit të tij. Duke gjurmuar formimin psikologjik të një shoqërie, mund të kuptohet “pse-ja” e veprimeve të saj dhe psikologjia e etikës së saj. Ashtu siç nuk janë rastësore identitetet, edhe veprimet e shoqërive të caktuara që përbëhen nga këto identitete nuk janë të rastësishme.
Fotografitë ngrijnë pamjet, por nuk ngrijnë ndjenjat. Madje, kur një fotografi takohen me sytë, te dikush mund t’i zgjojë ndjenjat e fjetura në zemër e te dikush tjetër mund të shpalosë ndjeshmërinë dhe kureshtjen. Në 28 Janarin e vitit 1990 në fshatin Nagavc të Rahovecit, Georges Mérillon, gazetar dhe fotoreporter francez, nga disa shkrepje radhazi, kishte realizuar fotografinë e cila do të shpallej si fotografia e atij viti nga World Press Photo. Këto pamje të shkaktuara nga një platformë mentale që ka nisur shumicën e luftrave në Ballkan, nuk shpalosin vetëm dhembjen nënës (Sabrie) për të birin dhe motrave (Afërditës dhe Ryvijes) për vëllain e vrarë (Nesimin), por njëherazi mbeten edhe si mundësi për ta ilustruar visualisht një përqasje psikologjike të një “shoqërie” dhe “organizmi” që prej vitesh ka përgjakur tokën në të cilën do të hyjnë vrasësit dhe të vrarët, sado që mund të luftojnë për të. Të gjithë ata që jetojnë për ta marrë tokën, medeomos do t’i marrë toka. Të gjithë ata që jetojnë në tokë vetëdijshëm, i japin tokës më shumë se trupin e tyre. ~ Fatmir Muja