Budalla e mençurak
Bëhen një kur s’ngjajnë aspak
Edhe pse njësoj nuk janë
Në dashuri dallim nuk kanë
Të gjithë jemi budallenj
Ca të vegjël, ca të mëdhenj
Se kur duam, s’duhet dija
Ikën mendja, kur vjen shija
Ç’duhet mendja për shijimin
Ç’duhet dija, kur s’bën dallimin
Dijetar a do të jesh,
Ama shije të mos kesh
A të duhet gjë kjo dije
Të dish shumë pa ndier shije
Si mjalti, si pelini
Sikur hithra, edhe blini
Fije s’ke po bjeri n’fije
A do dije, a do shije
Budalla a dijetar
Dashurisë nuk i bën ballë
Do të jesh i marrosur
Dhe me dashje i plagosur
Sikur gëzimin, pranon dhembjen
Kur s’ndien shije, ç’e do mendjen?
Ndien aromën e kundërmimin
Mend nuk ke, por bën dallimin
A do dije, m’thuaj aman
Se më tutje kohë nuk kam
Jam i kripës dhe sheqerit
S’dua dije, faleminderit! ~ Fatmir Muja