Malli i të dashuruarve është përtej fjalëve, por prej tij buron çdo Fjalë e Gjallë
E vdekur është zemra që ndarja s’e bën ta ndiejë këtë mall
Thanë se dashuria është e verbër, por dashuria është e vetmja që na bën të shohim
Çdo gjë njohim nëpërmjet dritës, po dritën nëpërmjet kujt e njohim?
Dy veta u verbuan nga mungesa e Jusufit: Jakubi dhe Zulejhaja
Sa vlen zemra e dikujt do ta dish, aq sa s’ta ka zënë zemrën dynjaja
Edhe pse njëri shihte me sytë e Ahiretit, e tjetri me sytë e dynjasë
Në mungesë të Jusufit, shikimi s’iu kthye as Jakubit e as Zulejhasë
Prania e të dashurit është dritë, mungesa e tij errësirë
Zulejhaja burgosi Jusufin, por vetë nuk mbeti e lirë
Mungesën e të dashurit s’e përmbushin as toka me Shtatë qiejt
Kush bëhet “hiç” në dashuri, e tij është ekzistenca krejt. ~ Fatmir Muja