Sa fjalë janë fshehur brenda zemrave, jo se nuk mund të thuhen, por se me thënien e tyre nuk shpalosen gjendjet e zemrave që njohin, por mbeten të panjohëshme. Fjalët s’thonë gjë për dashurinë, edhe pse nga dashuria burojnë. Fjala “heshtje” nuk ka të bëjë aspak me vërtetësinë e heshtjes, madje sapo të kemi thenë “heshtje” kemi bërë të kundërtën heshtjes, e megjithkëtë, sfondi i heshtjes ka mundësuar kumbimin e fjalës. Fjala është bërë për njeriun sepse njeriu është vetë Fjalë që në preludin e ekzistencës së tij ka mbushur Qiejt dhe Tokën. Nga Dashuria është ndezur Dielli, janë bashkuar retë dhe janë mbushur me Ujin e Jetës. Nga Dashuria burimet kanë gufuar në male e gurë dhe janë nisur drejt Oqeanit. Nga Dashuria ajri i padukshëm është bërë frymë për gjallesat e dukshme në Tokë. Nga Dashuria Toka është mbushur me frymëra gjalluese dhe njeriu ka ardhur për të qenë i dashur. Secila zemër vlen aq sa ka dashuri në të. Materia qendron në ekzistencë si pasojë e Dashurisë, prandaj sido që të shndërrohet, nuk asgjësohet. Një dru që digjet, kthehet në hi, por hiri nuk kthehet në hiç. Trupi vdes, kalbet e shpërbëhet, por hiç nuk bëhet. Materia nuk u asgjësuaka, por pse u shndërruka?
Secili trup njeriu, gjersa gjallon në mitrën amënore, ushqehet nëpërmjet kërthizës dhe sapo të ketë dalë nga mitra, kjo mënyrë e të ushqyerit bëhet e pavlefshme për të lindurin. Diçka që ishte gjëja më me vlerë për trupin për disa muaj radhazi, bëhet gjëja më e pavlerë për një çast. Me lindjen e një njeriu, lindin edhe mënyrat e reja për vazhdimësinë e jetës. Lindjet shkaktojnë dhembje, por nëpërmjet dhembjeve shpaloset dashuria. Qenia që i ka shkaktuar dhembje të ëmës, bëhet më e dashura për të. Sa herë lind një fëmijë, lind edhe një nënë. Lindja shkakton edhe ndarje, por ndarja e fëmijës nga trupi i nënës është njëkohësisht edhe takimi midis nënës dhe fëmijës. Ky takim është shpalosja e peisazhit më të bukur në Tokë. Askush s’e ka ndier dhembjen veç trupit të saj, prandaj askush s’mund ta ndiejë dashurinë si ajo. Me lindjen lindin edhe ndjenjat e pajetuara më parë. Lindja e dikujt është përlindje e shumëkujt dhe shumëçkaje. Lindja është shndërrim në ciklin e jetës. Fryma që mban gjallë materien, është e njëjta që gjallëron trupat njerëzor. Fryma që ka gjallëruar njeriun e parë, është Fryma që të gjallëron edhe ty në këtë çast. Fryma e Ademit dhe Havasë, është edhe Fryma e Merjemes së Bekuar, Maries së Përnderuar tek e cila është ngjizur trupi i një Fjale Hyjnore. E njëjta Fjalë Hyjnore që i jep njeriut zërin për të qarë, po ashtu i jep edhe mundësinë për të folur. Ajo Dashuri që ka mundësinë ta bëjë të posalindurin të buzëqeshë symbyllurazi, ka gjithë mundësinë ta bëjë edhe të flasë. Dhe Isai foli. Që atëherë, ai s’ka pushuar ndonjëherë së foluri, por ne kemi pushuar së shndërruari. Kur dikush e do dikë, megjithëse në planin e përceptimit dëgjimor mund të jenë të pranishëm shumë tinguj, dashuronjësi dëgjon vetëm zërin e të dashurit. Edhe pse shushurimat e gjetheve të pemëve ose zërat e zogjëve mund të jenë më afër veshëve, për qenien e dashuruar, tingujt e hapave të dikujt që e do bëhen më të kapshëm. Shumëllojshmëria e tingujve bëhet e parëndësishme, kur dashuronjësi është në pritje të një trokitjeje dere nga njeriu që do. Një trokitje nga i dashuri vlen më shumë se të gjithë tingujt, që edhe pse mund të jenë më afër, mbeten në sfond. Dashuria i jep vlerë çdo fjale, madje edhe atyre fjalëve që mund të mos shprehin ndonjë arsyeshmëri të caktuar. Shqisat e të dashuruarit ekzistojnë për atë që do. Ç’dashuri është ajo që nuk e shndërron zemrën? Shihe zjarrin: drurin dhe gurin e shndërron në dritë. Krishti lind çdo ditë, por ne vdesim në çdo ditë që ai lind. E si mund t’i dëgjojmë fjalët e të përlindurit duke qenë të vdekur në qeniet tona? Për të dëgjuar nuk duhet të jesh i tëri vesh, por veshët duhet të mos shkëputen nga Zemra. Jo nga zemra që pulson në gjoks, por nga Zemra e Isait që është edhe brenda teje. ~ Fatmir Muja 2019