Në Parafillim, në Shfaqjen Hyjnore
Dy cilësi iu dhanë veç gjuhës njerëzore
Me frymorë të tjerë, kështu s’paska ndodhur
Gjuhën kanë në gojë, por jo për të folur
E gjuha njerëzore kur takon ushqimet
Përveç se shijon, flet dhe për shijimet
Por ama s’u bë, diçka sa për të thënë
Jo veç të ndiejë shije, por shije për të lënë
Çdo shije s’është fjalë, por çdo fjalë lë shije
Se njeriu është shija e kësaj Pranie
Shijet që merr gjuha, brenda trupit treten
Shijet që jep gjuha, përgjithnjë do mbeten
E mençur është gjuha, qysh në takim të parë
Nuk na lë të hamë, çfarë s’mund t’i bëjmë ballë
Për shijet që merr është fort e kujdesshme
Për shijet që jep, nuk është kaq e ndjeshme
Se shije nuk ndien tjetrit kur i flet
Për shije është bërë, por shijet i vret
Kape një herë gjuhën, përpiqu të flasësh
Me fjalët e tua veshët do t’i vrasësh
Fjalët janë shije, fjalët janë gjendje
Kur kafshon gjuhën, ndien shije a dhembje?
Me kaq nuk mbaron, me kaq e mbarojmë
Gjuha s’mund t’i thotë, ato që shijojmë. ~ Fatmir Muja