…ah, jo!
Në ashk të gjitha shkojnë bashkë
S’ka “këtë e dua!”, “kjo s’është për mua!”
Germat janë si thërrime buke që nga shpirti thërrmohen
Për ushqyerje ndahen, në ushqyerje bashkohen
Çdo ndarje është takim, çdo ikje është kthim
Si prerja e kërthizës që bëhet për vazhdim
Kur fëmija nga mitra e nënës të jetë ndarë
Bashkohet me nënën sërish, por duke qarë
Për germat e ashikëve gjaku bëhet ngjyrë
Kush shkruan me zemër, sjell lot në fytyrë
Kush lexon me zemër, bëhet Shkronjë e Gjallë
I gjithë Universi për vargjet ndien mall
Zemrat e ashikëve një amanet ruajnë
Dhe brenda çdo germe një fshehtësi e shkruajnë
Nëpërmjet shpalosjes i fshehin shumë gjëra
S’e shkruajnë të tërën, shkruajnë nga e Tëra
Të tjerët i duan, nga të tjerët s’rrojnë
N’dynja dashurohen, dynjanë s’e dashurojnë
Për bukën dëshmojnë të gjitha thërrimet
Uria do ngopje, s’i duhen kuptimet
Etja kërkon ujin, s’kërkon domethënie
Nuk është dashuria as mbajtje, as lënie
Po de!
Për ndonjë kuptim, ndal, mos u përpiq
Të gjithë duan diç, ashikët duan hiç. ~ Fatmir Muja