Po afrohet çasti i takimit tonë
Edhe pse të ndarë, bashkë ishim gjithmonë
As shpirti me trupin s’mbeten të pandarë
S’mund të mos dhemb njëri, kur tjetri është vrarë
Shpirti është Fryma, trupi është balta
S’mund të jetë e ulëta, po nuk qe e larta
Veç kur Fryma baltën e bëri të gjallë
Dheu dashuroi, balta ndjeu mall
S’ka asgjë në botë që s’përjeton ndarjen
Veç fara që mbin, nuk mund ta shmangë çarjen
Kur bima çan tokën dhe i shfaqet qiellit
E gjithë ekzistenca thotë “Faleminderit!”
Zemrat që i dorëzohen këtij falënderimi
I mban dashuria, nuk i mban takimi
Qeniet në ekzistencë shkrihen së bashku
Jo pse ndodh takimi, por se i shkrin ashku
Edhe peshku në grep takim mund të quhet
Por a mund ta duash atë që të duhet?
Lutja më e bukur: “Të bashkuar u ndafshim!”
Ditën e mirë e mirëupafshim! ~ Fatmir Muja