Gjynahqar, zemërvrarë
As urryes, as i urryer
Ti nuk do të thyesh zemra
Po prapë mbetesh zemërthyer
Çdo mëkat ka një fat
Për t’u kthyer në pendim
Ti nuk do të pikëllosh shpirtra
Po prapë mbytesh në pikëllim
A s’të vjen keq për veten
Trëndafil të tjerët të njohin
Se ç’bën ti me gjembat e tu
Nuk e dinë se nuk të shohin
Dy ditë duron si Jusuf
Pesë të tjera je Zylejha
Natën nisesh në Qiellin e Shtatë
Ditën baltosesh në dynja
Ç’do t’i bësh kështu zemrës sate
Nuk mashtron, por mashtrohesh
Kur s’e do Faraonin
Nga Musai pse largohesh?
Po nuk hyre në zemrën tënde
Në Parajsë si do të hysh?
Natën bëhesh një me Njëshin
E ditën jeton në dysh
Di çka them, s’kam çfarë të them
Se derman këtu s’bën e thëna
Ty s’të zënë dot këto vargje
Se të gjitha janë të zëna
Mos qëndro ku s’e ke vendin
Nga Jovendi këtu je sjell
Mos u mbyt në prrocka të cekëta
Ti s’je det, je më i thellë. ~ Fatmir Muja