Merre gjakun dhe lotët e mi,
për lapsin tënd bëji ngjyrë
M’i shkruaj germat në zemër
Pastaj më lexo në fytyrë
Dhe shih sa gjethe kanë rënë
Nga Pema e Shpirtit tim
Kanë braktisur degët
Se me Rrënjën duan takim
Ngjyra e qenies sime
Për lapsin tënd është bërë
Lapsi pa ngjyrën e tij
Kurrë nuk bëhet i tërë
Shkruaj për mallin tonë
Që s’ka lot që e shuan
Dëshmo se në ekzistencë
Veç kush të do, të ruan
Shkruaj për lotët e përzier
Që zemrat tona kanë ujitur
Pa lot Pema e Ashkut
Kurrë nuk do të ishte rritur
Po deshe ta gëzosh një zemër
Bëje tani, jo më vonë
Çdo vonesë bëhet pendim
Çdo pendim dhemb gjithmonë
Veç kush t’i ndien germat
Nga vetja ta jep ngjyrën
Veç kush të ruan në zemër
Ndien mall të ta shohë fytyrën. ~ Fatmir Muja