I ngulitur në Pikën që askujt s’i ngjan
Vizatoj rrathët që janë të ngjashëm
Çdo rreth i vogël mbetet brenda të madhit
Po nuk pati të brendshëm, s’mund të ketë të jashtëm
Nga pika filloj, tek pika mbaroj
Çdo gjë që rrethoj, nuk e kufizoj
Çdo rreth në botë e ka një mes
Siç e ka shpirtin çdo trup që vdes

Unë jam pa emër e pa mbiemër
Me gjysmën time lëviz në çdo zemër
Me gjysmën tjetër rrënjosem në Pikë
Unë nuk jam trim por jam i pafrikë
Unë jam veç rob, por jam i lirë
Nuk jam i keq, por s’jam i mirë
Nëse të dukem i denjë për shoqërim
Të lutem bëhu armiku im!

Unë jam kompas në Pikë i ngulitur
Dhe nuk lë botë pa e shëtitur
Ata që s’më duan të gjithë i kam falur
Trupi im s’më pret, s’kam kohë për t’u ndalur
E si të mos i fal ata që më urrejnë,
Kur me zemrën time kurrë nuk mund të ndiejnë
Kur me sytë e mi kurrë nuk mund të shohin
A duhet t’i shaj vetëm pse s’më njohin?
Ata që pikën nuk e njohin dot
Mesin nuk ia gjejnë asnjë rrethi n’botë.

Nëse fort në Pikë s’je i përqëndruar
Rrathët vizatohen gjithnjë të shformuar
Çdo ditë gënjeshtra rroba të reja vesh
Vjen si dashamirëse e rri midis nesh
Kur butësisht kompasi gënjeshtrën rrethon
Ajo e turpëruar falje më kërkon
I them: “Nuk ka gjë, ti je vetëm fjalë,
Është vetëm besimi që t’ka mbajtur gjallë.”
Njerëzit e ngujuar gënjeshtrën besojnë
Drynin e mallkojnë, çelësin adhurojnë
Por ç’e do që dryni është gjysmak në jetë
Pjesë tjetër e tij është mu çelësi vetë
Derisa nga jeta dry e çelës të mos flaken
Njerëzit në robëri do rriten e do plaken

Unë jam kompas në Pikë i ngulitur
Mua Pika ime më ka porositur
Mos lejo njerëzimi nga ti të jetë mërzitur
Mos i dil përpara askujt në këtë jetë
Për t’ia treguar Rrugën e Vërtetë
Mjafon në këtë rrugë ti të ecësh vetë
Njerëzit kështu udhëzimin e kanë më të lehtë

Prej dheut vij por dhé nuk jam
Drejt fundit shkoj por fund nuk kam
Unë jam kompas në Pikë i qendërzuar
Për shkak se ju dua, ju kam rrethuar
Të jeni afër Pikës që më ka frymëzuar
Ju mund të largoheni pa u ndarë me mua
Dielli që perëndoi asnjëherë s’u shua
Nga Toka ku jemi kurrë nuk u largua
Unë do mbetem këtu, më duhet të bëj rrathë
Kurdo që të ktheheni, do më gjeni prapë.

Fatmir Muja 2011
www.fatmirmuja.com