As mungesa, as prania
Nuk të shmang nga dashuria
Si ndarazi, si bashkë
Zemrat gjallë janë veç në ashk
As brenda, as jashtë
Mos hap derën, bëhu prag
Në qofsh dashuronjës i denjë
Dashuria vetë të gjen
Shkoj e kthehem pa lëvizur
Dhe arrij pa u nisur
Mos më pyet si bën vaki
Nuk ka dysh në dashuri
S’kam përgjigje, përgjigje jam
Jam i varfër, gjithçka kam
Çdo dashuronjës në dynja
Është aty ku zemrën ka
Nëse këtu jam sërish
Do të vish, a do të rrish? ~ Fatmir Muja