Kur të mungon e vërteta,
ngushëllohesh me gjërat që asaj i ngjajnë
Dhembja e fshehur në zemër,
shpaloset nga sytë që për mungesën qajnë
Dhe sado lotë të rrjedhin,
Zjarrin e Dashurisë nuk e fikin
Përveç Vetes Sate,
të gjithë nga ti do të ikin
Ç’është kjo Vetja Jote
që e vetmja s’ka për të të braktisur?!
A nuk është koha ta njohësh
se mjaft në kopshtet e të tjerëve ke gjezdisur
A nuk je lodhur nëpër bahçet e huaja
gjethe duke mbledh’
Lakmon në lulet e të tjerëve
se farën tënde s’e ke mbjellë
Ore, qaj se vërtetë është për të qarë
Në botë ke ardhur i tërë
dhe nga E Tëra je ndarë
Sa më shumë lot të derdhësh,
aq më shumë do të çlirohesh
Me lot ujite zemrën tënde,
deri sa me Veten të takohesh
Ditët e tua mbushi
me lutjet e përndritshme të natës
Dashurinë e ke
më afër se damarin e qafës. ~ Fatmir Muja