Për zemrën s’ka gjendje më të mjerë se sa humbja e shijes së dallimit
Edhe i sëmuri ha e ngopet, por shijen nuk ia ndien ushqimit
Lutja është si kokrra e grurit me vijën e thelluar në mes
Në ekzistencë vjen si një e vetme, por mund ta ndash në dy pjesë
Kush nuk është dhurues, s’ia njeh fuqinë dhuratës
Gjynahet e ditës s’ia fsheh errësira e natës
Lutja është si buka që nga drithi kthehet në brumë
Nesër duhet të hash prapë, sado që sonte ke ngrënë shumë
Por, e kotë është t’i flasësh për lutjen, zemrës që s’e ka ndier dhembjen
Veç kush ka jetuar me plagët, të plagosurit ia njeh gjendjen
Përqafimin e takimit e shijon, veç kush ka durimin për të pritur
Kush dëshiron t’i japë mend budallait, është vetë i paditur
Pa qenë e fortë goditja, tingëlluese s’bëhet trokitja
Vetëm duke qenë i duruar, bëhet e bukur pritja
Ama, ç’e do aman kur s’mund t’i bësh derman?
Zemra e pandjeshme është sitë që Ujin e Lutjes s’e mban
Sado ta ushqesh, t’i japësh të pijë e të hajë
Gjithçka do të marrë, asgjë s’do të mbajë. ~ Fatmir Muja