Ti që hojet e zemrës m’i mbush me mjaltin e amshueshëm
Me ajkën Tënde jam rritur, prandaj jam i paharrueshëm
Jam si elifi që me germat e tjera s’lidhet, por lidh të gjitha të tjerat
Në malet e zemrës ruaj dimrin, në shpirt të gjitha pranverat
Në kosheret e mia rrjedh mjalti i të gjitha luleve të ekzistencës
Nëpërmjet mungesës jam i pranishëm, dhe mungoj nëpërmjet prezencës
Kush më ka gjetur, s’më ka humbur, kush më ka humbur, s’më ka gjetur
Jam si farë bambuje që me vite nën shtresat e dheut kam mbetur
Kam lulëzuar së brendshmi, kur së jashtmi jam parë si i vdekur
Jam zgjuar brenda vetes, kur për botën kam fjetur
O I GJALLË që asgjë të vdekur para syve nuk më shfaq
I lumtur jam me të gjitha dhembjet, kur Ti për të gjitha je ilaç
I dashur për të gjithë jam, por të dashur të gjithë nuk i kam
Asgjë nuk të bën më të uritur se ngopja me haram
Ka që më shohin e s’më njohin, ka që më njohin pa më parë
Nuk vlejnë më shumë se trupat, ata që me largimin e trupave janë ndarë
Me mua mund të vish kudo ku nuk jam “unë”
S’jam brenda, as jashtë një rrethi, jam vetë rrethi Sukun . ~ Fatmir Muja