Kishte lule fusha plot
Në pranverën e një ashku
Dolën bletët nga kosherja
Për të marrë nektar së bashku
Simfonia e ekzistencës
Kumbonte nga gumëzhima
Çdo petale bëhej varg
Poezi e gjallë me rima
Po për dreq bëri vaki
Që një bletë të lajthiste
Në vend të luleve me nektar
Mori diç që s’i përkiste
Kur u kthye te kosherja
Në prag e ndaluan rojet:
“S’je e denjë më për këtë zgjua
Veç të pastër të duan hojet.”
Kur je bërë për zgjua të pastër
Mos kërko në moçal ushqim
Se në zgjua s’të mbetet vend
E në moçal s’gjen dot shpëtim
Në zgjoin e ëmbëlsisë
Mund të kthehet veç bleta e dëlirë
Hojet mbeten prapë të pastra
Rojet do kujdesen mirë
Ti je bërë veç për lule
Mos kërko në kënetë nektar
Rima e vdekur nuk gjen vend
Kurrë në poezinë e gjallë
Mos u bëj veç notë e shkruar
Që zë vend veç në partiturë
Gumëzho si bleta e pastër
Se mjalti s’prishet kurrë. ~ Fatmir Muja
Artwork by Roz