Ka net që nuk ikin, edhe pse kalojnë
Ka zemra që nuk largohen edhe pse shkojnë
Ka ditë që nuk mbarojnë me perëndimin e diellit
Ka trupa që frymojnë në Tokë, por nuk ndahen prej Qiellit
Ka dashuri që dëshmohen vetëm nga dhembja e ndarjes
Ka plagë gjynahesh që mbyllen veç prej pendimit dhe faljes
Dhembjet nuk shërohen duke i urryer e sharë
Atyre u duhet ilaçi nga sëmundja për t’i ndarë
Koka gjithmonë është mbi zemrën që në gjoks pulson
Përveç kur të kesh bërë sexhde, zemra më lart qendron
Sa më lart ta lësh zemrën, aq do të vlejë koka
A mund të mos përgjigjet Qielli, atëherë kur lutet Toka?
Dielli e shiu Tokën nuk e lënë në vetmi
E kush nga gjallesat në Tokë është i vetëdijshëm si ti?!
Koka dhe zemra e gjoksit një ditë s’lëvizin më
Ndal dhe pyete veten: kush po ta thotë këtë gjë?
Kush po të tregon se trupi është i përkohshëm?
Njohësi dhe i Njohuri që është i Panjohshëm. ~ Fatmir Muja