- Bismilah!
- Lapsi që shkruan, dëshmi shkrimin ka
- Gjithçka mban një emër, por emri nuk është gjithçka
- Ti je qenia e vetme që të gjithë Emrat të janë mësuar
- Po s’jetove për t’u lartësuar, mbetesh i poshtëruar
- Prit! Nuk ke përse të ngutesh se ngutja të bën të vonohesh
- Nuk mund ta gjesh zemrën tënde nëse nuk dashurohesh
- Dashuria nuk ndodh për shkakun se ti do të nxitosh
- Ajo të zgjon ty, ti nuk mund ta zgjosh
- Ajo të zbulon ty, ti s’mund ta zbulosh
- Do të jesh i përmbushur vetëm kur të jesh bosh
- Sytë me të cilët po lexon këto germa, s’janë bërë pse ti je ngutur
- Edhe mbasi janë bërë, s’janë hapur gjer në çastin e duhur
- Çdo qelizë e trupit ngjizet në kohën e vet
- Asgjë s’mund të humbasësh se asgjë s’të përket
- Çdo trup është bërë për shpirtin e tij
- Çdo zemër është bërë për Dashuri
- A mund të mos ia japësh zemrën zemrës që do ta dashurosh?!
- Gjërat që i quan të humbura, janë gjërat që është dashur t’i dhurosh,
- Kujtimet s’janë çastet më të bukura, por çastet që s’mund t’i harrosh?
- Çastin kur qave për herë të parë, si mund të mos e kujtosh?
- Në barkun amnor kur je ushqyer, a je uritur për t’u rritur?
- Kur me aftësinë për të thithur ke lindur, a ke qenë i përndritur?
- Ti, apo një pikë uji ta bëjë trupin tënd ka ditur?!
- Përse nxiton kur për të gjitha këto ke pritur?
- A kaq pak vlekan për ty çastet më të rëndësishme?
- T’i harrosh gjërat më të bukura, a s’bëhet jeta e bezdisshme?
- Nëse vetëkujtimi nuk të bën të qash
- Dhe nëse vetë Mendjen në mend s’do ta mbash
- Qenia jote e bukur do të dënohet me harresë
- Në këtë Ekzistencë do të mbetesh pa festë
- Festo që nga Hiçi u bëre Gjithçka
- E gjithë ekzistenca thotë SubhanAllah!
- Nur!
- Syri pa dritën nuk ka vlejtur kurrë
- Zjarri del nga guri, dritë e bën çdo gur
- Dritën s’mund ta njohësh, pa Dritë s’mund të shohësh
- Me zjarr mund të digjesh, pa zjarr s’mund të ngrohesh
- Zjarr është dashuria, ngrohtësi i jep botës
- Sikur Dielli digjet edhe thelbi i Tokës
- Zjarrin e shpalosin dy gurë të përplasur
- Nuk e di ç’është djegia, zemra që s’ka dashur
- Pa Zjarrin e Qiellit, zjarr në Tokë nuk sheh
- Po s’e njohe veten, askënd nuk e njeh
- Po s’e gjete veten, askënd s’mund ta gjesh
- Po s’ndenje me veten, shoqëri s’do të kesh
- Nëse njëmendësisht ti e do dikë
- Në zjarr do të hysh të digjesh për të
- Asgjë s’ke humbur se asgjë s’ke pasur
- Këtu je shfaqur vetëm për të dashur
- Të thuash “kam humbur diç”, nuk është e përshtatshme
- Se Tokën ku frymon e ke gjetur të gatshme
- Gjynahu më i madh është koha e humbur
- Ç’dashuri është ajo që gjumi e ka mundur?
- Çasti i humbur për një të dashuruar
- Është ai kur Të Dashurin nuk e ka kujtuar
- Në dashuri s’pyetet “tani nga t’ia mbaj?”
- Ti nuk mund të zgjedhësh, je i zgjedhuri i saj
- Pyetjet dhe përgjigjet në Dashuri s’vlejnë
- Kuptimi u duhet atyre që s’ndiejnë
- Aty ku gjykohet, s’mund të dashurohet
- E humbur është zemra që s’falënderohet
- Ilaçi me dhembjen në trup kur takohet
- Vdesin së bashku që trupi të gjallërohet
- Përveç Dashurisë, tjetër ilaç s’ka
- Çdo qelizë kumbon Elhamdulilah!
- Ashk
- Domethënë edhe kur ndahesh të jesh bashkë
- Ta ndiesh lëvizjen në gjak, në mish, në asht
- Se pa lëvizje s’ka nisje, pa nisje s’ka rrugëtim
- Pa Dashuri edhe me veten je në kundërshtim
- Pa Dashuri zemra jote kundër teje pulson
- Duke gjykuar të tjerët, të metat e tua tregon
- Nuk vdes si luan, dikush që si dhelpër jeton
- Nuk është trëndafil ai që me gjemba s’të shpon
- Për bukurinë e Jusufit, si Zulejhasë le të të ikën mendja
- Më mire të gabosh në dashuri, se sa të jesh pa ndjenja
- Të gabosh duke dashur, i bie të jesh i marrë
- Edhe kur s’je bashkë, s’pranon të jesh i ndarë
- Nëse kështu dashurohet një qenie që ha e pi, dhe ushqimet i nxjerr jashtë
- Dhe sado e madhe qoftë dashuria, vdekja trupat s’i le bashkë
- Atëherë, zemra le të mësojë nga fëmija që nga gjiri i nënës është ndarë
- Kur qumështi i ndalohet, ushqehet me gjëra që s’i ka njohur më parë
- Kur tjetrit i thua “të dua”, çfarë do te qenia e tij
- Fytyrën që do të rrudhet e dheu do t’i bjerë mbi?
- Trupin që do të bëhet ushqim për gjallesat e nëndheshme?
- Zërin që do të humbasë, sado që të ketë thënë fjalë të prekshme?
- Apo shikimet që me mbylljen e syve do të bëhen të pandjeshme?
- Si mund ta duash Hyjnoren nëse një njeri të vetëm ta duash s’ke mundur?
- Çastet janë si kokrra tesbihësh, pa dashuri çdo çast është i humbur
- Çdo kokërr është e këputur nëse nuk je lutur
- Çdo çast dashuria mund ta bëjë të bukur
- Ndarje s’mund të quhet nëse dhembje s’të ngjall
- Takim s’mund të quhet nëse s’të shton mall
- Nëse dashuron çdo çast kur je zgjuar
- Edhe në gjumë zemra ka për të dashuruar
- Nëntëdhejtë e shtatë vargje sa këto dy s’kanë vlerë:
- Kënaqu në parajsë e digju në ferr
- Askund nuk mungon Allahu Ekber!
Fatmir Muja
Shtator 2019