1. Bismilah!
  2. Lapsi që shkruan, dëshmi shkrimin ka
  3. Gjithçka mban një emër, por emri nuk është gjithçka
  4. Ti je qenia e vetme që të gjithë Emrat të janë mësuar
  5. Po s’jetove për t’u lartësuar, mbetesh i poshtëruar
  6. Prit! Nuk ke përse të ngutesh se ngutja të bën të vonohesh
  7. Nuk mund ta gjesh zemrën tënde nëse nuk dashurohesh
  8. Dashuria nuk ndodh për shkakun se ti do të nxitosh
  9. Ajo të zgjon ty, ti nuk mund ta zgjosh
  10. Ajo të zbulon ty, ti s’mund ta zbulosh
  11. Do të jesh i përmbushur vetëm kur të jesh bosh
  12. Sytë me të cilët po lexon këto germa, s’janë bërë pse ti je ngutur
  13. Edhe mbasi janë bërë, s’janë hapur gjer në çastin e duhur
  14. Çdo qelizë e trupit ngjizet në kohën e vet
  15. Asgjë s’mund të humbasësh se asgjë s’të përket
  16. Çdo trup është bërë për shpirtin e tij
  17. Çdo zemër është bërë për Dashuri
  18. A mund të mos ia japësh zemrën zemrës që do ta dashurosh?!
  19. Gjërat që i quan të humbura, janë gjërat që është dashur t’i dhurosh,
  20. Kujtimet s’janë çastet më të bukura, por çastet që s’mund t’i harrosh?
  21. Çastin kur qave për herë të parë, si mund të mos e kujtosh?
  22. Në barkun amnor kur je ushqyer, a je uritur për t’u rritur?
  23. Kur me aftësinë për të thithur ke lindur, a ke qenë i përndritur?
  24. Ti, apo një pikë uji ta bëjë trupin tënd ka ditur?!
  25. Përse nxiton kur për të gjitha këto ke pritur?
  26. A kaq pak vlekan për ty çastet më të rëndësishme?
  27. T’i harrosh gjërat më të bukura, a s’bëhet jeta e bezdisshme?
  28. Nëse vetëkujtimi nuk të bën të qash
  29. Dhe nëse vetë Mendjen në mend s’do ta mbash
  30. Qenia jote e bukur do të dënohet me harresë
  31. Në këtë Ekzistencë do të mbetesh pa festë
  32. Festo që nga Hiçi u bëre Gjithçka
  33. E gjithë ekzistenca thotë SubhanAllah!
  34. Nur!
  35. Syri pa dritën nuk ka vlejtur kurrë
  36. Zjarri del nga guri, dritë e bën çdo gur
  37. Dritën s’mund ta njohësh, pa Dritë s’mund të shohësh
  38. Me zjarr mund të digjesh, pa zjarr s’mund të ngrohesh
  39. Zjarr është dashuria, ngrohtësi i jep botës
  40. Sikur Dielli digjet edhe thelbi i Tokës
  41. Zjarrin e shpalosin dy gurë të përplasur
  42. Nuk e di ç’është djegia, zemra që s’ka dashur
  43. Pa Zjarrin e Qiellit, zjarr në Tokë nuk sheh
  44. Po s’e njohe veten, askënd nuk e njeh
  45. Po s’e gjete veten, askënd s’mund ta gjesh
  46. Po s’ndenje me veten, shoqëri s’do të kesh
  47. Nëse njëmendësisht ti e do dikë
  48. Në zjarr do të hysh të digjesh për të
  49. Asgjë s’ke humbur se asgjë s’ke pasur
  50. Këtu je shfaqur vetëm për të dashur
  51. Të thuash “kam humbur diç”, nuk është e përshtatshme
  52. Se Tokën ku frymon e ke gjetur të gatshme
  53. Gjynahu më i madh është koha e humbur
  54. Ç’dashuri është ajo që gjumi e ka mundur?
  55. Çasti i humbur për një të dashuruar
  56. Është ai kur Të Dashurin nuk e ka kujtuar
  57. Në dashuri s’pyetet “tani nga t’ia mbaj?”
  58. Ti nuk mund të zgjedhësh, je i zgjedhuri i saj
  59. Pyetjet dhe përgjigjet në Dashuri s’vlejnë
  60. Kuptimi u duhet atyre që s’ndiejnë
  61. Aty ku gjykohet, s’mund të dashurohet
  62. E humbur është zemra që s’falënderohet
  63. Ilaçi me dhembjen në trup kur takohet
  64. Vdesin së bashku që trupi të gjallërohet
  65. Përveç Dashurisë, tjetër ilaç s’ka
  66. Çdo qelizë kumbon Elhamdulilah!
  67. Ashk
  68. Domethënë edhe kur ndahesh të jesh bashkë
  69. Ta ndiesh lëvizjen në gjak, në mish, në asht
  70. Se pa lëvizje s’ka nisje, pa nisje s’ka rrugëtim
  71. Pa Dashuri edhe me veten je në kundërshtim
  72. Pa Dashuri zemra jote kundër teje pulson
  73. Duke gjykuar të tjerët, të metat e tua tregon
  74. Nuk vdes si luan, dikush që si dhelpër jeton
  75. Nuk është trëndafil ai që me gjemba s’të shpon
  76. Për bukurinë e Jusufit, si Zulejhasë le të të ikën mendja
  77. Më mire të gabosh në dashuri, se sa të jesh pa ndjenja
  78. Të gabosh duke dashur, i bie të jesh i marrë
  79. Edhe kur s’je bashkë, s’pranon të jesh i ndarë
  80. Nëse kështu dashurohet një qenie që ha e pi, dhe ushqimet i nxjerr jashtë
  81. Dhe sado e madhe qoftë dashuria, vdekja trupat s’i le bashkë
  82. Atëherë, zemra le të mësojë nga fëmija që nga gjiri i nënës është ndarë
  83. Kur qumështi i ndalohet, ushqehet me gjëra që s’i ka njohur më parë
  84. Kur tjetrit i thua “të dua”, çfarë do te qenia e tij
  85. Fytyrën që do të rrudhet e dheu do t’i bjerë mbi?
  86. Trupin që do të bëhet ushqim për gjallesat e nëndheshme?
  87. Zërin që do të humbasë, sado që të ketë thënë fjalë të prekshme?
  88. Apo shikimet që me mbylljen e syve do të bëhen të pandjeshme?
  89. Si mund ta duash Hyjnoren nëse një njeri të vetëm ta duash s’ke mundur?
  90. Çastet janë si kokrra tesbihësh, pa dashuri çdo çast është i humbur
  91. Çdo kokërr është e këputur nëse nuk je lutur
  92. Çdo çast dashuria mund ta bëjë të bukur
  93. Ndarje s’mund të quhet nëse dhembje s’të ngjall
  94. Takim s’mund të quhet nëse s’të shton mall
  95. Nëse dashuron çdo çast kur je zgjuar
  96. Edhe në gjumë zemra ka për të dashuruar
  97. Nëntëdhejtë e shtatë vargje sa këto dy s’kanë vlerë:
  98. Kënaqu në parajsë e digju në ferr
  99. Askund nuk mungon Allahu Ekber!

Fatmir Muja
Shtator 2019