Kush ta çmon praninë, e di sa ke vlerë
Por veç derës Sate, unë s’kam tjetër derë
Aq sa takimi, ka vlerë edhe pritja
Se nuk mund të ndahen tingulli dhe trokitja
S’ka asnjë derë tjetër ku mund të trokas
Çfarë më duhet zëri kur për ty nuk flas?
Ç’më duhet të ngrohem, kur për Ty nuk digjem?
Çfarë më duhen thirrjet, kur Ty s’të përgjigjem?
Po ç’thirrje e përgjigje ka në ekzistencë
Kur thirrja dhe përgjigja është veç Një Prezencë
Të jesh me Një të dashur që kurrë nuk mungon
As kur të kesh rënë poshtë, kurrë nuk të poshtëron
Ky është fati im, kaq bukur i shkruar
Duart s’janë për zemër, zemra është për duar
Mu për shkak të zemrës, edhe duart ngrihen
Askujt veç njeriut, duart nuk i shihen
Në lotët e gjynaheve ta lagësh kafshatën
Për ditën që iku, ta bësh të qajë natën
Kjo është rruga ime, tjetër rrugë nuk kam
Aty ku s’ka dalje, vetë rruga unë jam
Aty ku s’ka hyrje, vetë unë jam derë
Se si gjynahqar veç te Ti kam vlerë
Nëse Ti ke thënë të tjerët të më duan
Ka për të më dashur edhe ai që vuan
Dikush për dikë, qan se ia njeh vlerën
Pragun mund ta puthë, veç kush njeh derën. ~ Fatmir Muja