Nuk jam Njëshi, por jam një
Jam i plotë kur s’kam asgjë
Sa herë vdes jam më i gjallë
Veç për sexhde vlen ky ballë
Unë jam Pika e bismilahit
Edhe F-ja e Fatihasë
S’jam i bukur si Jusufi
Por njoh dhembjet e Zulejhasë
Njoh marrëzitë e Mexhnunit
Edhe nazet e Lejlasë
Jam i dashur në dynja
Por s’i bëhem rob dynjasë
I kërkoj ndjesë çdo zemre
Që pa dashje e kam lënduar
Po deshe t’i gëzosh të gjithë
Të gjithë ke për t’i hidhëruar
Por ata që të duan
Do të mbeten deri në amshim
Si në baltë, si në mjaltë
Si në gëzim, si në hidhërim
Dynjaja është veç vendtakim
Disa ikin, por nuk shkojnë
Po ta deshën një herë shpirtin
Trupin kurrë nuk ta harrojnë
I kërkoj falje çdo shpirti
I kërkoj falje çdo trupi
Aq sa kish durim Ejubi
Aq sa ndiente mall Jakubi
Në këtë tavaf kur s’më gjeni
Për çdo fjalë të më ndjeni
Nëse s’më takoni më
Më mëshironi për çdo gjë
Prapë jam Pika, edhe F-ja
Jam Gjithçkaja dhe Asgjëja
Jam mirënjohës që ishim bashkë
Zemra vlen aq sa ndien ashk
S’humbet ashku pse mbarojnë ngjarjet
Nuk dhemb vdekja, dhembin ndarjet. ~ Fatmir Muja