Për hatrin e lotëve të dashuronjësve
që mbulojën e Qabesë kanë lagur
dhe për hatrin e lutjeve të zemërthyerve
që zemrën veç Ty ta kanë hapur
Për hatrin e dhembjeve të të pafajshmve
që askush veç Teje s’ua njeh gjendjet
dhe për hatër të atyre që për hir të Dashurisë,
durojnë pa u ankuar për dhembjet
Bëje lutjen time thirrje në Shtatë Qiej
Zemrën time gjynahqare, për takimin me Ty, mall të ndiejë
Për hatrin e asaj Zemre që te kubja jeshile gjallon ﷺ
dhe për hatrin e çdo vetmitari që gjithçka veç Teje harron
Zemrën time harrimtare, ndize me Nurin mbi Nur
Më bëj të mos harroj se Ti je Lutja, unë nuk jam lutur kurrë
Se jo kur lutem unë, Ti më përmbush,
por kur Ti më përmbush, unë lutem
Më ler te Rrënjët e Tua,
edhe kur nga degët këputem. ~ Fatmir Muja