Zemra ime është vullkan dhe ti ende prej saj fjalë kërkon
Po fola për gjërat që ti do, prushi e llava të përvëlon
Ajo duhet të shpërthejë që fjalët e saj t’i dëgjosh
Trupin nga uji e ke, por flakët e zjarrit s’mund t’i durosh
Jeta humbet sa herë nga vdekja përpiqesh të shpëtosh
Egoja është përplot dëshira që na vrasin përditë
Njerëzit kalimthi të takojnë e të thonë: mos u mërzit!
Të thonë se do bëhet mirë dhe ikin në rrugët e veta
Nga takimi me ta mbetet veç përshëndetja
Ti mbetesh gjithmonë në vetmi, brenda vetes po s’hyre
Çfarëdo që të tjerët thonë për ty është vetëm mendim i tyre
Të shanë apo të lavdëruan është gjë fare e kotë
Ti as nga mendimet tua nuk mund të jetosh dot
Sa herë do kërkosh përgjigje, me mua nuk do jesh dakord
Nëse një ditë më do, tjetrën mund të më urresh
Por s’mund të jetosh përballë meje e asgjë të mos ndiesh
I njëjti zjarr që të ngroh, mund të të djegë, kujtohu,
Po s’pate guxim të digjesh, ngrohu dhe largohu!

Fatmir Muja 2015