Arkitektët, muratorët në mbretëri mbreti kish’ sjell:
“Ju të zotët e kësaj pune, ma ndërtoni një kështjellë,
Dua t’ketë mure të trasha dhe të jenë pa dritare,
Brenda tyre murtajë e sëmundje të mos munden të hyjnë fare,
Veç një dritarëz do ta lini, një frengji sa për ajër,
Brenda saj do jem i ruajtur…” -“Naltmadhni të qoftë për hajër!”
Siç u tha, ashtu u bë, pa dritare u ngrit kështjella
Hijerëndë, e dallueshme, nga të gjitha ngrehinat tjera,
Ndaloi një ditë pranë kështjellës, një rrugëtues i përndritur
“Mirë se erdhe – i tha mbreti, – “n’këtë konak je i mirëpritur!”
-Po ç’na qenka mbret i dashur, kjo kala me mure t’mëdha,
Përveç asaj vrime të vogël, pse dritare të tjera s’ka?”
“Mysafiri im i ditur, këtë kështjellë e kam ngritur,
as murtajë e as sëmundje, brenda mureve për të mos mbërritur.”
-“Meqë qenka kështu puna, mbret i dashur, kam një këshillë
Mbylle ‘dhe atë vrimë të vogël, ruajtja të jetë më e mirë!”
“Ore, ç’je ti – i tha mbreti – i përndritur a i lajthitur?
Po e mbylla ‘dhe atë dritarëz, veç vdekjes çfarë kam për t’pritur?
Ajo është e vetmja vrimë, ku hyn ajri dhe pak dritë,
Nëse mbyllet, çfarë mund t’mbetem, përveçse një trup pa shpirt?”
“Natyrisht!” – tha mysafiri – “të ndodh ndryshe s’ke pse t’presësh,
Kur ia mbyll dritaret jetës, si kërkon të mos vdesësh?
Sa më i mbyllur o mbret të jesh, aq më pak mbretëri do t’kesh
Nga e njëjta gojë del zëri, kur njeriu qan dhe qesh
Kjo kështjellë nga murtaja nëse kurrë s’ka për t’u prekur,
Kush jeton brenda saj është më keq se një i vdekur.” ~ Fatmir Muja