Ka zemra që na ndiejnë,
Por zemërohen ndonjëherë me veten,
e nxitimthi shpinën na e kthejnë
Ama, ashtu si maja e malit që borën duron në çdo stinë
Zemra duhet ta durojë zjarrin që të mos e humbasë ngrohtësinë
Është lehtë ta duash Zotin, Ai është i përsosur
A mund t’i duash ata që zemrën ta kanë plagosur?
Është lehtë ta duash Hyjnoren, Ajo është pa mangësi
A mund t’i duash ata që gabojnë kur të lëndojnë ty?
A mund t’i duash ata që zemërimin dot s’e përmbajnë,
E të mos bëhesh mallkues e sharës, kur të mallkojnë e shajnë
Po bëre të njëjtat gjëra, zemra s’ka vend për ashk
Ca gjëra që duken të kundërta, gjithnjë do të mbeten bashkë.
Ka zemra që na duan, por ndonjëherë nga egoja pushtohen
Pa dashje largohen, me dashje duan të afrohen
Pa ne e bëjnë rrugën, por jo edhe rrugëtimin
Në këmbë kanë ikjen, në zemër kanë kthimin
Sa më shumë largohen, më afër na ndiejnë
Dhe mbeten të humbura, gjer sa të na rigjejnë
E kanë të vështirë ta bëjnë ritakimin
Sepse pa vetëdije kanë bërë largimin
Ku ka zemërim, s’mund të ketë vetëdije
S’mund ta bëjë dallimin dikush që s’ndien shije
Ku është gjallë vetëdija, egoja varroset,
Kushdo që plagos, edhe vetë plagoset,
Prandaj, nëse e do dikë, lere të shkojë
Nëse kthehet, është për ty
Të ka parë me zemër, e jo veç me sy
Nëse nuk kthehet, mos e kërko më
Se edhe po e gjete, nuk të duhet gjë. ~ Fatmir Muja