Mirëmëngjesi jetë, mirëmëngjesi botë
Mirëmëngjesi Qiell, mirëmëngjesi Tokë
Mirëmëngjesi Diell që ngroh shpirtin tim
Jeta qenka dhimbje, jeta qenka gëzim
Sëmundja dhe ilaçi janë miqtë më të mirë
Me kohë njëri-tjetrit i thonë lamtumirë
Ata do miqësohen aq sa ka nevojë
Kur largohet sëmundja, ilaçi do shkojë
Zgjohu ti me mua, le të zgjohen zemrat
Ku janë trëndafilat, do t’i takosh gjembat
Ku zë fill një jetë, aty nis dhe vdekja
Shpresa n’dëshirë kthehet, kur pushon përpjekja
Disa që me ne, dje folën e qeshën
Sot s’thanë “mirëmëngjesi” se u ngrinë dhe heshtën
Jo botën, por veten në vijë mund ta vësh
Në s’mund të bësh mirë, keq mund të mos bësh
Do përjetojë ndarje kush shijoi takimin
Thuaj “Mirmëngjesi!” dhe vazhdo rrugëtimin… ~ Fatmir Muja
www.fatmirmuja.al 2014