Shihe një çikë shegën:
E kuqe së jashtmi, e kuqe përbrenda
E dukshmja e saj ashtu siç është zemra
Çdo kokërr e saj ruan një sekret
Kush nuk ka shijuar, për shijet pse flet?!
Çdo i dashuruar jeton në xhenet
Dhe çdo ziliqar jeton në zjarr
Digjet dhe vetvetes nuk i thotë “më fal!”
Me Ujin e Jetës zjarrit s’i thotë “ndal!”
Po s’ta kujtoi Të Dashurin çdo që shikon
Në emër të Dashurisë veten tradhton
Çdo kokërr shege është një kujtim
Që vjen nga Parajsa në Tokë si rrëfim
Kush ka brendinë, ashtu siç duket
Në Tokë e në Qiej, gjithçka për të lutet
Çdo kokërr shege ruan një Emër
Secila përgjigjet nëse thërret me zemër
Nëse vëretetësisht zemra dashuron
Çdo gjë që takon, Të Dashurin ia kujton
Thuhet se të dashurit janë edhe të marrë
Po ata që s’duan, çfarë mund të jenë vallë?!
Dashuria kurrë nuk e sajon ngjyrën
Ashtu siç ke zemrën, ta bën ‘dhe fytyrën. ~ Fatmir Muja