Kur tjetrit i thua “hesht!”
Ti bën të kundërtën e heshtjes
Dëshmon se te tjetri s’ke mundur
Ta ndezësh zjarrin e kureshtjes
Për t’u bërë tingëllues
Po kërkon heshtjen e dikujt
Po të flisje me zemrën tënde
S’do të duheshin veshët e askujt
Meqë ke gojën e pasur
Veshët mos i ler fukarenj
Jepju edhe atyre llafet e tua
Si goja le të bëhen të mëdhenj
Sepse, nëse thua gjëra të këndshme
Do të ishte padrejtësi
T’i thuash në vesh të të tjerëve
Pa i shijuar vetë ti
E di se këto që t’i thashë
Ty nefsi im s’të pëlqejnë
Ama gjërat e këndshme
Duam t’i përsërisim dhe rindiejmë
Prandaj të kam thënë e po të them
Po pate llafe të bukura në gojë
Së pari thuaja veshëve të tu
Pastaj të tjerëve, nëse ndiejnë nevojë
Jeto si trëndafil i heshtur
Që për t’iu ndier era
Kurrë s’kërkon të mos lëshojnë
Aromë bimët e tjera
Edhe pse me gjemba
Që shpojnë e përgjakin
Afërsinë e tij
Njerëzit nuk e flakin
Duhen edhe gjembat
Njerëzve s’u zihet besë
Pa teklif të flas
Prandaj s’të kërkoj ndjesë
Mos kërko të heshtin
Që të bëhesh tingëllues
Po tingëllove bukur
Vetë bëhen dëgjues. ~ Fatmir Muja

www.fatmirmuja.al 2021