Eh more ashik, që pa dashuri nuk jeton e me dashuri
mbytesh
Nuk mjafton vetëm t’i duam gjërat por duhet të dimë edhe si t’i duam
Sepse gjërat që i duam, ndodh t’i humbasim duke mos ditur si t’i dashurojmë
Ndonjëherë kur na shijon buka shumë, kafshata na ngel në fyt

More ashik, dashuronjës!
Zhgënjimi nuk ka vend në botën tonë
Sepse ne nuk u besojmë njerëzve por mendimeve tona që kemi për njerëzit
Prandaj, sado që bota është e kufizuar ne jetojmë të lirë
Ne nuk grindemi me askënd sepse askush nuk na ka premtuar se do mendojë si ne
dhe as ne nuk u kemi premtuar të tjerëve se do mendojmë si ata
E dimë se jemi pjesë e botës, por bota nuk është jona
Prandaj, ne jetojmë qetësisht, sepse nuk mund ta humbasim atë që s’e kemi

Sado ta përziejmë grurin me gurin,
Toka do ta njohë edhe njërin edhe tjetrin
Nga një kokërr e vetme gruri do marrim dhjetëra të tjera
Nga një gur nuk do të marrim asnje gur
Pra, ti o dashuronjës, mos ki frikë nga mbjellësit e gurëve
Ata nuk shtojnë e as pakësojnë asgjë në tokë!

Ashik!
Ruaju nga ata që thonë se budallallëku s’ka fund
Sepse, nëse budallallëku është njerëzor
Dhe nëse numri i njerëzve që jetojnë në tokë është i kufizuar
Si ka mundësi që budallallëku të mos ketë kufi?


Aty ku dashuria gufon, mendja çalon
Por ti nuk je si shumica, edhe pse shumicës i takon
Ti ruaje mendjen, se po të humbi mendja me çfarë do ta ruash dashurinë?!
Ti thua: “me zemër”, edhe unë jam dakord
Por jo të gjithë kanë zemër për të na kuptuar se ç’themi ne n’këtë botë.


O dashuronjës që dashuria ta ka dhuruar çelësin për ta hapur çdo dry
Ndodh që nga dëshira e madhe për t’i hapur drynat, të na thyhet çelësi
E kur gjysma e çelësit të ketë ngelur brenda drynit
Do ta kuptojmë se gjysma, sado që mund të qëndrojë pranë të plotës,
Nuk mund të na shpjerë dot te thesari.

Ashik!
Mbi të gjitha, ruaje mendjen kur përballesh me të pamendët!
Mos e shfaq thellësinë para atij që kënaqet me cektësinë
Kush qendron në turbullirat e ujërave të cekëta
Nuk është i prirur ta besojë kthjelltësinë e ujërave të thella
Mos i hap sytë në prani të dritës së fortë
Sepse, përveç që s’do shohësh gjë, do ta dëmtosh edhe shikimin
Mos ia thuaj të vërtetën të paditurit se do të quhesh gënjeshtar
Të gjitha “mos”-eve të mia, po deshe thuaju: “Mos!”
Veç ruaje veten nga vetvetja, e mos e plagos!

Fatmir Muja
Nëntor 2010