Kur malli më mori për veten e gjithë ekzistenca qau
Trupi im një peme të pagjelbëruar i ngjau
Një degë me fruta plotë jetë sëpata nga trungu e ndau
Një vjeshtë e papritur erdhi, gjethet i këputi e i thau
Po rrënjët e mia nuk vdiqën edhe pse fati i vrau
Dikush që shumë më lavdëronte, më shumë nga të gjithë më shau
Shpirti vetëqortues edhe një herë pyeti veten
Ç’t’u desh ta vrisje zemrën kur brenda saj kishe gjithë jetën?!
Ç’t’u desh që lotët e tu të pastër t’i ndysh?!
Kur thyen zemrën tënde çdo gjë që jeton brenda saj do ta thyesh
Shëndeti është brenda teje e sëmudja nga jashtë troket
Sëmundjen mund ta njohësh, shëndeti mbetet sekret
Aty ku gjuhët heshtin, dhimbja me një mijë gjuhë flet
Unë jam këtu sërish me heshtje, me fjalë e me germa
Unë jam këtu sërish se s’më ka vdekur zemra
Unë jam këtu sërish si lule me nektarin e falur
Nëse je si bleta, këtu ke për t’u ndalur
Asgjë s’është e imja, e tëra është dhuratë
Në mungesë të thumbit, s’do kishte as mjaltë. ~ Fatmir Muja

www.fatmirmuja.al 2015