Po nuk e dite kush je
Të tjerët do të ta japin përgjigjen
Por kur ti të jesh djegur
Të tjerët me ty s’do të digjen
Përgjigjet e të tjerëve
Për ty nuk mund të vlejnë
Se me zemrën tënde
Të tjerët s’dashurojnë, as s’ndiejnë
Do të dëshirojnë të të mësojnë
Si të ecësh në rrugët e kësaj bote
Por kur të jesh plagosur në rrugëtim
Askujt s’do t’i dhemb plaga jote
Etja as uria nuk të shuhet
Pse të tjerët hanë e pinë
Të mirën mund të ta duan
Por ç’ndien ti, s’mund ta dinë
Si të gjithë të tjerët
Veç një herë këtu je sjellë
Mund t’i duash në tokë
Ata që i takove në Qiell
Shihe trupin tënd
Për çfarë shpirti është bërë
Pastaj je rob i lirë
Mund të rrish me të tërë. ~ Fatmir Muja