Më pëlqejnë rrëfimet që nisin me “na ishte”
Si ky për njërin që dy fqinj kishte
Njëri Duhani, tjetri Ramazani
Edhe pse nuk ngjanin, fort ia donte xhani
Me të parin takohej e rrinte përditë
Me të dytin qëndronte një muaj në vit
Por ç’t’i bësh Duhanit, ishte tekanjoz
E për Ramazanin bëhej dhe xheloz
Njëmbëdhjetë muaj radhazi e mbante në konak
Dhe prapë sikur thoshte “më mbaj edhe pak,
Rri me Ramazanin, është komshi i rrallë
Por mungesës sime si do t’i bësh ballë?
Me atë rri ditën, me mua rri natën
Unë kurrë nuk ankohem pse ti ma vë flakën
S’ka lezet pa mua, çaji as kafeja
Me një mik si unë nuk të prishet feja.”
Njëmbëdhjetë muaj bashkë, çdo ditë, çdo orë
Dy duar kishte, por rronte me një dorë
Se Duhani s’ishte dosido komshi
S’i ndahej nga dora, sikur t’ishte fëmijë
Vetëm Ramazani kur e vizitonte
Dorën nga Duhani një çikë ia çlironte
Thoshte “mirë se të gjeta ore i uruar,
Të paktën një muaj jeto me dy duar.”
Ndodhte ndonjëherë miqtë ta qortonin
Qejfin për Duhanin ‘dhe më fort ia shtonin
Kur e do dikë, s’do t’ia dish për llafe
Edhe helm në qoftë, do ta pish me kafe
Kur e do dikë, s’do t’ia dish për këshillë
Edhe keq po t’bëri, e merr me të mirë
Kur e do dikë, s’do ta dish pasojën
Kur tjetri mbyll veshët, mbylle ‘dhe ti gojën
I biri i Ademit kështu natyrën ka
Kur i thua “mos!”, vete në gjynah
Ka humbur gjithë Kopshtin vetëm për një frut
Ti lutu për të, por kurrë mos e lut
Kurrë mos u vono, por kurrë mos u ngut
“Mos-in” tim të fortë, mos e merr me të butë.
Një ditë tek po rrinte në qejf me Ramazanin
Pa dashje mendonte edhe për Duhanin
Po s’është njerzillëk për t’riun, as t’vjetrin
Të rrish me dikë, e të mendosh për tjetrin
Ama çfarë t’i bësh, i shkrepën mendimet
E rrëmbyen dyshimet, e gërryen hamendësimet
Se ky Duhani i kishte ca kushte
Mysafir i bëhej veç kur ia përmbushte
Kur s’i jepte lekë, fare nuk i vinte
Duhej ta paguante që me të të rrinte
E ç’komshi është ky, tani gjeje vetë
Bëhet mysafir vetëm kur ke lekë
Një fqinj i tillë a thua kujt i duhet?
S’të vjen në konak nëse nuk paguhet
Mos më bëj Zot – tha – nga soji i fatzinjve
Të bëhem gjykatës midis dy komshinjve
Egoja lëndohet kur urtësia flet:
Gjykon mes dy miqve? Njërin e humbet.
Edhe pse Duhani erë të keqe mbante
N’prani t’Ramazanit asnjëherë s’e shante
Kur njeriu mësohet me erë të pakëndshme
S’ia prish terezinë edhe në qoftë e dëmshme
Nga shoqëria e shthurur zemra kur rrëmbehet
S’e di çfarë është dehja njeriu që dehet
Po deshe ta dish kush janë miqtë e dëlirë
Mendo kush nga ta të lë erë të mirë
Kush u bë shkaktar të shkruhej kjo përrallë,
Komshiu i shpeshtë a komshiu i rrallë?
Tymnajë kjo jetë, tymnajë kjo botë
Tymi dhe t’pandjeshmin mund ta bëjë me lotë
Na ruaj o Zot nga lotët pa ndjenja
I vdekur është ai që kurrë s’i qan zemra
Tha: këtë tymnajë zemre do ta davaris
Te shpia e Duhanit me nxitim u nis
Në derë i trokiti, por askush s’e priti
Ku është Duhani? – fqinjët pyeti
Duhani ka ikur se mendjen ta ka ditur
Po s’e ndeze ti, s’rri me zjarr të fikur
Jo goja, por zemra po bëri ndonjë njet
Komshiu i dëmshëm nga lagjja ikën vetë
Ndjesë për tejzgjatjen, këtu po e mbyll përrallën
Komshinjtë e Duhanit mund ta marrin fjalën. ~ Fatmir Muja