Nastradin Hoxha një shtëpi të bukur kish’ ujdisur,
Me kaligrafi që buron nga shpirti, mjeshtrat ia kishin qëndisur,
Edhe mbreti që kish’ sarajet, për këtë shtëpi kish’ lakmi,
“O hoxhë – i thoshte Nastradinit, – ma shit, të jap sa të duash flori”,
“Më vjen keq o mbreti im, por s’e kam bërë për ta shitur,
Këtë qëndisje kur sytë ma shohin, zemra s’ndjehet e mërzitur…”
…dhe një ditë Nastradini, vajti në det për të gjezdisur,
Mori barkën u fut në ujë, mirëpo dallgët qenë çakërdisur,
“O bobo – tha – e pat puna, do më fundosë në det furtuna,”
Ngriti duart me përgjërim, “Më shpëto,- tha – Zoti im!”
O Sundues i këtij deti dhe i Tokës me Shtatë Qiejt
Do ta shes shtëpinë dhe lirat do t’i jap për fukarenjtë
Sapo dallgët u qetësuan, Nastradini në pendesë ra
I qetësuar tha me vete: “Ç’jam dhe unë një budalla,
Deti i qetë a i trazuar, me këto lutje ç’lidhje ka?!”
Dhe sakaq dallgët e detit u trazuan me rrëmbim
“Ah, më fal – hoxha klithi – se gabova o Zoti im,
Më shpëto se të betohem, do ta mbaj atë premtim”,
Valët hoxhën në breg e nxorën dhe trishtimi mori fund
I tha vetes: “Çohu tani, nga premtimi mos u lëkund!”
Nxori lajmin: “Shes shtëpinë, me gjithë macen bukuroshe,
Kjo e mban pastër nga minjtë se ia njeh shtëpisë çdo qoshe.”
Lajmi mori dhenë kudo, mbreti hoxhën n’saraj e ftoi
“Fol o hoxhë sa e ke hakun se blerës tjetër nuk lejoj!.”
“Të më ndjesh o mbreti im, sa ke lira paç dhe ashk,
Shpia ka macen e saj, s’shiten ndarazi, veçse bashkë.”
“Mirë o hoxhë – i tha mbreti, – fol sa lira, sa florinjë?”
“Pesë mijë lira bën shtëpia, ndersa macja pesqind mijë.”
Sapo mbreti blerjen kreu, hoxha te fukarenjtë vajti,
Pesë mijë lira i shpërndau, pesqind tjera në xhep i mbajti
Tha: “O Zot faleminderit, unë premtimin në vend e çova,
Lirat e shpisë i dhurova, e të maces i fitova.”
Kur diçka bëhet pa zemër, nuk lulëzon Pema e Jetës
Bile as kur jep premtimin për shpëtimin e vetvetes. ~ Fatmir Muja