Ku është pikë, e bën presje
Kalon fajin me një “nejse”
As shpejtësia e zagarit
Si inati i shqiptarit
Kur të fal, ta përmend
Po nuk diti, të jep mend
Edhe t’shan, edhe të mban
Të godet, edhe të qan
Të përzë, po nuk të lëshon
Pa kandar të peshon
Sikur qeni që i leh
Një njeriu që s’e njeh
I njëjti po ia dha mishin
Ndalon lehjen, lëviz bishtin
Si meraku i gjahtarit
Është inati i shqiptarit
Dhelpër vret, dhelpër s’ha
Borxhli është, borxh nuk ka
Po ia the një të vërtetë
T’mban inat që s’e tha vetë
E kur duhet të duket mirë
Blen më shtrenjtë e shet më lirë
Fjala fjalën nuk e mund
Nuk ka presje kur ka fund
Dua pikë fjalës t’i vë
Por inati s’po më lë ~ Fatmir Muja